81 arbitra të rinj, nga të cilët 12 janë vajza, u diplomuan në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati si dhe Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, i cili është njëkohësisht edhe koordinatori i këtij projekti. Në fjalën e tij përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Shulku, vlerësoi angazhimin e të rinjve, e veçanërisht të vajzave, në sektorin e arbitrimit, duke inkurajuar që sa më shumë prej tyre të bëhen pjesë e futbollit.
Ndërsa, Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati, duke iu drejtuar të rinjve tha se për ta është hapur tashmë një dritare e re dhe se duhet shumë pasion dhe mund për t’ia dalë mbanë.
Edicioni i dytë i Akademisë së Arbitrimit nisi në tetor dhe ishte i ndarë në dy faza trajnuese në teori dhe praktikë. Arbitrat e rinj u trajnuan në lidhje me rregullat e lojës, përgatitjes fizike, psikologjisë sportive, komunikimit, mjekësisë si edhe gjuhës angleze.