/ATSH – I. Vata/- Zëvendëskryeministri Erion Braçe tha sot se qendra e re edukative dhe sociale në njësinë administrative Kolonjë të bashkisë së Lushnjës është drejt përfundimit.
Braçe i përgjigjet kryetarit të PD-së Lulzim Basha i cili në turin e tij në Shqipëri akuzon qeverinë se nuk ka bërë asgjë për qytetarët duke i thënë se ne bëjmë punë dhe lideri i opozitës llafe.
“Në punë me punëtorët, sepse puna na vlen. Llafet rrugëve puna e Lulit! Qendra e re edukative e sociale në Kolonjë të Lushnjës po bëhet gati!”, shprehet ai.
Shkolla e bashkuar në qendër të fshatit Kolonjë në Lushnjë ka pësuar transformim rrënjësor nga një ngrehinë në një qendër komunitare për fshatin më të madh të njësisë.
Ajo tashmë ofron hapësira te reja, laboratore, sistem ngrohjeje dhe palestër për herë të parë, nyje të reja sanitare për çdo grupmoshë, ndarë sipas gjinive, për fëmijë me aftësi ndryshe dhe për mësuesit. /a.a/