ATSH/ Dritëro Agolli përveçse një nga shkrimtarët më të mëdhenj në letërsinë shqipe ishte gjithashtu një zë i rëndësishëm përgjatë proceseve demokratike.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përkujtoi sot në ditën e lindjes shkrimtarin e madh Dritëro Agolli.

“Dritëro Agolli ishte gjithashtu një zë i rëndësishëm përgjatë proceseve demokratike. Ai do të kujtohet si frymëzues, por edhe kritik i domosdoshëm, me rol unik në formësimin dhe identifikimin e Partisë Socialiste si një e majtë moderne europiane”, tha Balla.

Pak kohë më parë, shtoi ai, “nga familja Agolli mu dhuruan disa dorëshkrime të Dritëroit, të cilat po i publikoj pa koment”.

“Në qoftë se qeveritë, ministrat dhe kryeministrat do të punonin me mençuri, ide dhe guxim si Edi Rama, kryetari i bashkisë së Tiranës, ndryshe do të ishte Shqipëria; në katër vjet do të bëheshin çudira. Lëre se çfarë thonë kritikët dembelë e llafazanë. Këta lloj njerëz janë mosmirënjohës për atë që po bën Edi Rama. Ka të drejtë Gëtja kur thotë “ Mosmirënjohja është gjithnjë një formë e dobësisë”, shtoi ai. /a.a/