Elbasani është një nga qytetet që historikisht ka prodhuar futbollistë, të cilët i kanë shërbyer jo vetëm skuadrës së qytetit, por edhe gjithë kampionatit shqiptar. Një pjesë e mirë e tyre kanë dhënë kontributin edhe në ekipin kombëtar, por duket se me kalimin e viteve ky qytet po e humb shkëlqimin e dikurshëm në evidentimin e talenteve. Lëngon edhe vetë skuadra e qytetit, e cila endet në kategori inferiore dhe nuk po ngrihet dot aty ku i takon. Një prej legjendave të futbollit elbasanas, Mihal Gjika, në një intervistë për TV Skampa shprehet se ky qytet do të vazhdojë të nxjerrë talente, mjafton vetëm të punohet me përkushtim nga brezi i ri.

Më tej, “lakja”, siç njihet nga sportëdashësit elbasanas, pohon se pa para është e vështirë për të pretenduar për një ekip cilësor. Mjafton të rikthehen futbollistët nga ky qytet që luajnë në ekipe të tjera të vendit, gërshetuar paksa edhe me traditën, për ta kthyer Elbasanin aty ku duhet.

Prej disa sezonesh verdheblutë janë në një krizë të thellë dhe po hasin vështirësi për t’u rikthyer në nivelet e dikurshme, ndërsa këtë sezon do i duhet të luftojë për të mbijetuar në Kategorinë e Parë.