ATSH/- Agrobiznesi shqiptar po synon të zgjerojë tregjet për eksportet e prodhimeve bujqësore “Made in Albania”, që po bëhen mjaft të kërkuara nga tregjet e huaja.
Me mbështetjen e USAID dhe të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sipërmarrësit e sektorit bujqësor po mbështeten të promovojnë eksportin e prodhimeve bujqësore shqiptare.
USAID bën të ditur se, për të nxitur zhvillimin ekonomik, projekti SmartCapital, zbatuar nga Creative Business Solutions, ndihmoi 50 agrobiznese shqiptare të marrin pjesë në Panairin e Parë Digjital Ndërkombëtar “Macfruit”, i organizuar në Itali në datat 8-10 shtator”.
Pjesëmarrja në Panair u mundësua përmes platformës së bashkëpunimit digjital “Agrotrade”, e krijuar gjithashtu nga ky projekt. Duke u vizituar nga 43 000 të interesuar, Panairi ofroi një mundësi për agrobizneset shqiptare të ekspozonin prodhimet e tyre në një treg të gjerë.
Në 5 vitet e fundit, eksportet e 5 mujorit për përpunimin e produkteve bujqësore janë rritur me 2.7 herë në peshë dhe me 3.2 herë në vlerë.
Ndërkohë që gjatë vitit 2020 (janar-qershor) eksportet u rritën në 6.325 ton prodhime me vlerën e 1.1 miliardë lekëve kundrejt një viti më parë ku u eksportuan 4.044 ton produkte me vlerë 947 191 milionë lekë.
Sektori ka përmirësuar standardet dhe cilësinë dhe vijon të gjej tregje të reja për produktet shqiptare.
Statistikat zyrtare tregojnë se, ekonomia bujqësore dhe e agropërpunimit nga viti në vit po shënon rritje progresive të qëndrueshme duke u kthyer në një motor të rritjes edhe të ekonomisë së vendit por edhe të ekonomisë familjare rural. e.xh/j.p/