Prefekti i Qarkut mblodhi sot shtabin e Emergjencave Civile për situatën e krijuar nga Covid 19.
Z. Malaj vlerësoi punën e bërë në të gjithë qarkun e Elbasanit duke u ndalur tek masat e marra kundër përhapjes së Covid 19, zbatimin e rregullave të distancimit social si dhe ndihmën e ofruar ndaj familjeve në nevojë.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit teksa bëri një përmbledhje të masave të marra deri tani kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë me institucionet e tjera, pasi e vetme bashkia nuk mund t’ja dalë.
Pavarësisht se nuk kanë raste me Covid 19, një punë e jashtëzakonshme është bërë edhe nga bashkitë e tjera për menaxhimin e situatës dhe sidomos për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të izoluar.
Drejtoria e Shëndetit Publik ka pasur këto kohë fluksin e menaxhimit të rasteve të prekura, por edhe të analizimit apo identifikimit të çdo kontakti.
Nga ana e policisë puna është fokusuar në zbatimin e rregullave, si përsa i përket lëvizjes së këmbësorëve, ashtu edhe për mjetet. Drejtori i Policisë shtoi se lajm i mirë është rënia e ngjarjeve kriminale.
Një theks i veçantë në këtë mbledhje u vu në Vendimin e Këshillit të Ministrave të përsonave që do të ndihmohen me pako ushqimore. Në këtë drejtim Malaj kërkoi të mos ketë abuzime dhe të njoftohen qytetarët me rregullat e përfitimit të ndihmës.
Elbasaninews.tv