Prefekti i Qarkut Elbasan, ka thërritur ditën e sotme task-forcën anti kanabis. Në këtë takim merrnin pjesë Drejtues i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, Shefi i Shërbimit Informativ, Vladimir Elezi, Drejtori i Drejtorisë Vendore të policisë Elbasan, Arjan Muça dhe përfaqësues të të gjitha bashkive të qarkut Elbasan.

Në fjalën e tij prefekti Malaj theksoi faktin se është prioritet i qeverisë lufta anti kanabis dhe toleranca është zero. Më tej, Prefekti dha edhe një pasqyrë të asaj që ka ndodhur me kanabisin në qarkun e Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, është shprehur në këtë takim se nga ana e bashkisë është duke u mbajtur gjithçka në kontroll. Z.Llatja shton faktin se çdo kryeplak i fshatit është trajnuar, ndërsa procesi vijon gjatë gjithë kohës, ndërkohë që ana e bashkisë është bërë një hartë të zonave të riskuara, të cilat mbahen në kontroll në mënyrë të vazhdueshme.

Mustafa Çarciu, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Belsh, shprehet se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit është marrë çdo masë e nevojshme. Andri Çota nënkryetar i Bashkisë se Librazhdit shprehet se vështirësinë në evidentimin e zonave malore janë të mëdha.

Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nënvizoi faktin se territori i Qarkut të Elbasanit është nën kontroll. Ndërsa Kreshnik Ajazi, drejtues i Prokurorisë së Elbasanit tha se është rritur numri i referimeve, çka bën që kontrolli të jetë i lartë.

Elbasaninews.tv