Në kuadër të Paktit për Universitetin në Elbasan vijon rikontruksioni i Qendrës së Trajtimit të Studentëve, godinat e së cilës ishin krejtësisht të amortizuara dhe jashtë kushteve për akomodim të studentëve. Që prej ndërtimit të këtyre godinave në vitet ’70, nuk ishte vënë dorë dhe rikonstruksioni ishte domosdoshmëri. Tashmë godina e parë, e cila do të akomodojë 160 studentë në dhoma dyshe, po shkon drejt përfundimit, në kushte bashkëkohore të infrastrukturës. Kryetari i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, inspektuan punimet të cilat janë një bashkëpunim i Bashkisë së Elbasanit me Qeverinë Shqiptare dhe me mbështetjen e Qeverisë turke, përmes projektit TIKA. Balla tha se konviktet tashmë kalojnë në menaxhim të Bashkisë së Elbasanit e cila ka vizionin e saj për të tërhequr më shumë studentë në universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Taulant Balla “Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me qeverinë po implementon projektet në kuadër të paktit për universitetin. Qeveria ka vendosur që konviktet t’i kalojë në administrim të bashkive. Ky konvikt 18 muaj më parë ishte në një gjendje tejet të amortizuar që kur ishte ndërtuar në vitet ’70. Ndërkohë sot kjo është një godinë tërësisht moderne, me 80 dhoma të nivelit të një hoteli dhe 160 studentët e parë do të kenë mundësi të akomodohen në fillim të vitit të ri akademik. Plani ynë deri në përfundim të këtij projekti është të akomodojmë 500-600 studentë. Kalimi i këtyre godinave në administrim të Bashkisë Elbasan padyshim ka rritur shpenzimet e kësaj të fundit, por Elbasani arsimin e ka pjesë të AND-së së tij.”
Kryetari i Bashkisë tha më tej se pjesë e rikonstruksionit do të jenë gjithashtu ambientet sportive, mensat dhe biblioteka:
Gledian Llatja :”Është bërë çdo gjë e re, duke nisur që nga instalimet elektrike e hidraulike, sistemi antizjarr, dyer dritare po ashtu. Kanë mbetur vetëm muret, edhe këto janë suvatuar me sistemin kapot për të siguruar efiçencën e energjisë. Është vizioni ynë të rrisin numrin e studentëve të Universitetit të Elbasanit, pasi vitet e fundit është vënë re një rënie, kjo edhe për shkak të kushteve akomoduese të këtij konvikti. Ndërsa pjesa tjetër qëndronte në shtëpi me qira pikërisht për shkak të kushteve këtu. Vetëm në këtë godinë akomodohen 160 studentë, dy studentë në dhomë. Në rikonstruksion do të përfshihen edhe dy godinat e tjera duke arritur një kapacitet akomodues prej 500 studentësh. Pjesë e rikonstruksionit do të jenë gjithashtu edhe ambientet sportive, mensat, biblioteka etj.”
Me përfundimin e rikonstruksionit të të gjitha godinave kapaciteti akomodues në Qendrën e Trajtimit të Studentëve do të arrijë në 500-600 studentë.
Elbasaninews.tv