Elbasani nuk ruan dot ecurinë pozitive të dy javëve të fundit në kampionat, ku pas dy fitoreve radhazi ndaj Ilirisë dhe Turbinës, merr humbjen e parë pas ristarit të kampionatit. Verdheblutë janë mundur në transfertë ndaj Orikut, me rezultatin e ngushtë 1 me 0, duke mos i dhënë mundësinë për t’iu larguar vendeve të fundit dhe marrë pikë të tjera të vlefshme sa i përket qëndrimit në kategori.

Edhe pse u luajt një ndeshje e fortë dhe me rivalitet nga të dyja ekipet, me pak fat dhe cinizëm para portës, elbasanasit mund të kishin dalë të paktën me një pikë, por nuk ia arritën dot. Sfida u vendos nga një gol i Nurçes në minutën e 65’, i cili ia dha tri pikët e qetësisë skuadrës së tij, e cila me këtë fitore thuajse e ka siguruar edhe për sezonin e ardhshëm qëndrimin në Kategorinë e Parë.

Ndërkohë, në pjesën e parë Elbasanit i është anuluar një gol për pozicion jashtë loje të Çemës, i cili nëse nuk do të anulohej mund të ndryshointe rrjedhën e lojës dhe verdheblutë mund të ruanin ecurinë pozitive të javëve të fundit. Me këtë humbje verdheblutë qëndrojnë në vendin e parafundit në kuotën e 19 pikëve, po aq sa edhe Turbina dhe një më shumë sesa Shënkolli që mbyll klasifikimin.

Ndeshja e radhës në fundjavë do t’i rezervojë një tjetër përballje të vështrië elbasanasve, ku do të udhëtojnë në transfertën e Devollit, me shpresën që të mos dalin pa gjë, sepse në të kundërt komplikohet shumë edhe mbijetesa në kategori.