Elbasani merr tri pikë të arta në derbin me Turbinën, teksa ka fituar me rezultatin 3 me 2, duke iu larguar fundit të klasifikimit dhe shkuar në kuotën e 19-të pikëve, po aq sa edhe cërrikasit. Kjo fitore ishte e para në derbi për këtë sezon, ndërkohë që për herë të parë morën dy fitore radhazi. Sa i përket lojës ishte mjaft interesante dhe me raste.
Elbasani zhvillon një volum të madh loje dhe nis të krijojë një “mal” me raste. Balla nis të shpërdorojë mundësi flagrante para portës kundërshtare, po ashtu si Nuri me Peposhin. Ndërkohë, nga ana tjetër është një ish që ndëshkon verdheblutë, ashtu si në sfidën e kaluar, Jurgen Peqini, i cili ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi duke e ndalur sferën në rrjetë në minutën e 28′.
Tre minuta më pas Elbasani ka rastin më të mirë për të barazuar, por Balla humbet penalltinë e fituar nga Mataj. E pabesueshme çfarë humbasin elbasanasit, krijojnë pa fund, por nuk dinë të shtyjnë topin në rrjetë. Megjithatë shënjestra do të rregullohej në të dytën.
Barazon shifrat Nuri në të 51′, ndërsa Karati kalon në avantazh vendasit në të 57′. Një minutë më pas Nuri shënon të tretin, duke hipotekuar fitoren. Levendi në të 70-ën ka mundësi të ngushtijnë shifrat për cërrikasit, por gabon nga pika e bardhë e penalltisë, pasi Moli kupton krahun dhe pret topin. Katër minuta nga fundi është Koldashi ai që ngushton dhe mbyllet gjithçka 3 me 2 për Elbasanin.