Edhe psë në Shqipëri numri i të infektuarve nga Covid-19 vijon të rritet, situata paraqitet e qetë përsa i përket qarkut të Elbasanit, pasi prej disa ditësh tashmë nuk është konfirmuar asnjë rast i ri me koronavirus.
Në total në Elbasan u prekën nga kjo sëmundje 20 persona nga të cilat Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se aktualisht janë duke u trajtuar vetëm dy persona ndaj Covid-19, pasi 18 të prekur më parë janë shëruar tashmë plotësisht nga Coronavirus.
Edhe gjatë 24 orëve të fundit nuk është konfirmuar asnjë rast i ri në Elbasan edhe pse vijojnë testimet. Falë rasteve të pakta dhe zbatimit rigoroz të masave të distancimit social, që prej ditës së hënë qarku i Elbasanit është shpallur zonë e gjelbër dhe i është rikthyer normalitetit përsa i përket lëvizjes së lirë dhe hapjes së aktiviteteve.
Elbasaninews.tv