Duket se po hapet një dritë jeshile për rinisjen e futbollit në vend, edhe pse nuk do të jetë i njëjtë si më parë. Dëmi që i ka shkaktuar Covid-19 futbollit nuk e kanë bërë ndoshta as luftërat, por gjithsesi edhe futbolli do të vazhdojë ashtu si vetë jeta.

Efekti dhe impakti i kësaj pandemie ka qenë aq i madh në gjithë botën, sa duket sikur pas “zhdukjes” së saj do të lindë një epokë e re, edhe pse nuk dihet më e mirë apo më e keqe.

Të paktën, në Elbasan shpresojnë se pas koronës do të lindë një erë e re për klubin e futbollit. Gjithsesi, sfidat e klubit janë të mëdha dhe shumë gjëra i ka lënë pa zgjidhur dhe lënë pezull para pandemisë.

Tre janë sfidat kryesore të skuadrës, ajo afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.

Sfida e parë, ajo afatshkurtër dhe që nuk pret koha, është mbijetesa në Kategorinë e Parë. Me hir apo me pahir, në tavolinë apo në fushë, Elbasani e ka të nevojshme të arrijë mbijetesën për të paktën edhe këtë sezon, sepse një tjetër rrëzim në të Dytën mund të rezultonte fatal, jo vetëm për klubin dhe qytetin, por për zhdukjen e një klubi emblemë. Ringritja do të bëhet gjithnjë e më e vështirë nëse për fat të keq rrëzohen sërish.

Sfida e dyë, ajo afatmesëm, por që duket edhe më kryesorja, pasi varen shumë fatet e klubit, janë pikërisht aksionet. Prej afro tri vitesh duket sikur situata ka “ngrirë” dhe ato mbeten në “ajër”, me anglezët që nuk duken gjëkundi, por që kanë bërë lëmsh klubin.

Mungesa e një vendimi përfundimtar gjykate se cilët palë do të kenë aksionet, e bën klubin e futbollit të jetë “jetim”. Sfida e tretë e post-koronavirusit, ajo afatgjata dhe që nuk mund të arrihet shumë shpejt, është rikthimi i skuadrës të paktën në elitë.

Aktualisht duket gati një mision i pamundur dhe nuk mund të realizohet pa u përmbushur fillimisht dy sfidat e para, por ky është motivi që klubi të vazhdojë përpara, që të rikthehet në nivelet e dikurshme.

Në momentin aktual të tria këto sfida duken të vështira për t’u realizuar, por klubet e mëdha dhe të traditës arrijnë të gjejnë zgjidhje edhe atëherë kur shpresat jnë të humbura. Nëse do të jetë ky rasti i Elbasanit apo jo mbetet për t’u parë.

Elbasaninews.tv