TIRANË, 11 korrik/ATSH/ -Rreth 250 mijë qytetarë e kanë përfituar deri tani ndihmën financiare të akorduar nga qeveria si mbështetje në situatën e krijuar prej pandemisë së COVID-19.

“Paga e luftës” dhe bonusi prej 40 mijë lekësh u shpërnda për të gjitha kategoritë e biznesit, të cilat u mbyllën ose aktiviteti i tyre u reduktua për shkak të kufizimeve të vendosura.

Erjon Andoni është një nga të vetëpunësuarit e shumtë që e kanë përfituar mbështetjen financiare prej 40 mijë lekësh dhënë nga qeveria.

Erjoni ka një dyqan ku shet bojëra për lyerjen e objekteve në zonën e “Don Boskos”, në Tiranë. Në një bashkëbisedim me ATSH-në, Erjoni shprehet se është i vetëpunësuar në dyqanin e tij prej disa vitesh.

“Është një biznes familjar. Në këtë biznes jam i vetëpunësuar prej disa vitesh”, tregon Erjoni. Ai thotë se për të përfituar bonusin prej 40 mijë lekësh gjatë kohës së pandemisë kishte aplikuar online në formularin e paraqitur nga Administrata Tatimore.

Erjoni thekson se procedura e aplikimit ishte e thjeshtë dhe se në llogarinë e tij ishte njoftuar përmes një mesazhi nga Administrata Tatimore se kërkesa i ishte aprovuar.

Qeveria aprovoi dy paketa financiare përmes të cilave u mbështetën qytetarët dhe punonjësit e bizneseve që u prekën nga masat e marra në përballje me pandeminë COVID-19. Gjithashtu, qeveria dyfishoi pagesën për ndihmën ekonomike si dhe pagesën e papunësisë.

Ndërkaq, qeveria është gati të vërë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.

ATSH