Federata e Spanjës në futboll edhe zyrtarisht ka njoftuar se ku do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Kombëtares së Spanjës dhe asaj të Kosovës.
Sapo u mësua se shorti kishte vënë përballë Spanjën dhe Kosovën, u ngritën shumë reagime rreth asaj se ku do të zhvillohej ky takim për shkak se Spanja ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet.
Megjithatë, nga Federata e Futbollit të Kosovës ishin të bindur se kjo ndeshje do të zhvillohet sipas rregullave të FIFA-së dhe se ata nuk do të pranonin asnjë ndryshim, sidomos kur Kosova do të luante në rolin e vendasit.
Madje, Sekretari i FFK-së Eroll Salihu, në një intervistë për KosovaPress kishte deklaruar se ata nuk do të marrin parasysh asnjë alternativë tjetër, duke e përjashtuar edhe Shqipërinë si opsion.
Ndeshja ndërmjet Spanjës dhe Kosovës do të zhvillohet më 31 mars 2021.