Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një urim për fëmijët e vegjël në festën e tyre. Ky 1 qershor përkon me rikthimin e tyre në kopsht dhe çerdhe, duke e bërë më të gëzueshme këtë ditë!
Presidenti Ilir Meta ka uruar fëmijët për festën e 1 qershorit duke publikuar edhe 1 foto mes tyre. Meta thotë se duhet të ecim dorë për dore me fëmijët deri në realizimin e ëndrrave të tyre për të ndërtuar Shqipërinë e vërtetë europiane.
“Në Ditën e Festës së tyre, një urim të ngrohtë e të përzemërt për të gjithë fëmijët shqiptarë: Gëzuar 1 Qershorin! Të ecim gjithmonë dorë për dore me fëmijët, për të mos u dorëzuar deri në realizimin e ëndrrave të tyre shumëngjyrëshe, për t’ju ruajtur buzëqeshjen e çiltër, për të mësuar nga sinqeriteti dhe dashuria e tyre, për të ndërtuar Shqipërinë e vërtetë europiane! Të mbrojmë të drejtat e fëmijëve çdo ditë me vepra dhe jo me fjalë, dhe t’ju sigurojmë një të ardhme të sigurt dhe frymëzuese në Atdheun tonë”, shkruan Meta.
Edhe kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh me rastin e 1 Qershorit, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, u uroj gjithë fëmijëve shqiptarë shëndet dhe gëzime, në familjet dhe shoqërinë e tyre. Ky 1 Qershor i gjeti fëmijët shqiptarë në dalje nga një gjendje e vështirë për ta, familjet dhe atdheun. Kopshtet dhe shkollat mbyllën dyert përkohësisht, për shkak të pandemisë. Vogëlushët shqiptarë, si miliarda vërsnikët e tyre në të gjithë botën, nuk shkojnë në shkollë, por zhvillojnë mësime nga shtëpia; janë të përmbajtur të përqafohen me gjyshet e gjyshërit; kanë të kufizuara lojrat me shoqët e shokët e tyre; dhe i janë nështruar një disipline që nuk është e zakonshme për ta. Por kjo ndodhi në emër të mbrojtjes së jetës së tyre. Tashmë që pandemisë po i vjen fundi, fëmijët do t’u kthehen jetës normale, mësimeve, lojrave dhe gëzimeve të saj.
Në mbledhjen e Grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, para disa ditësh, porosita Qeverinë dhe deputetët të bëjnë kujdes që me fillimin e vitit të ri shkollor të marrin masa për të kompensuar të gjitha mangësitë e këtij semestri të vështirë, duke qenë të vetëdijshëm për mangësitë dhe pamjaftueshmërinë praktike të mësimit virtual; të sigurojnë mbështetje funksionale e produktive për fëmijët e familjeve të varfëra dhe me nevoja të veçanta; të marrin masa që shërbimet sociale për fëmijët dhe nënat të shtrihen në të gjitha bashkitë dhe në të gjithë territorin, sidomos në fshat; të përfundojnë reformën e deinstitucionalizimit të fëmijëve. Ne, shtetarët, qeveritarët dhe politikanët duhet të bëhemi të vetëdijshëm që të tresim mëritë dhe konfliktet tona, në emër të së ardhmes dhe buzëqeshjes së fëmijëve tanë.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.