Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi sot miratimin  e një rritjeje masive në aftësinë e tij për të dhënë hua pa interes për vendet më të varfra, për t’i ndihmuar ata të përballen me dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Ndryshimet, të miratuara më 14 korrik nga bordi i drejtorëve të FMN-së, parashikojnë ngritjen e kufijve të hyrjes në kredi, për të lejuar institucionin të jetë më fleksibël në mbështetjen financiare që u jep këtyre vendeve.

“Kjo nuk ka për qëllim të japë hua më shumë në të gjitha programet e FMN, por përkundrazi të sigurojë më shumë financim me interes zero për vendet me programe të forta ekonomike, për të menaxhuar pandeminë dhe trajektoren e rimëkëmbjes së plotë”, tha Sean Nolan, zëvendësdrejtori i Departamentit të Rishikimit të Politikave dhe Strategjive.

FMN e siguron këtë financim kryesisht përmes “marrëveshjeve shumëvjeçare të huasë”, ndryshe nga viti 2020, kur pjesa më e madhe e ndihmës u dha përmes programeve të urgjencës, që shlyheshin menjëherë dhe nuk kushtëzoheshin nga politikat ekonomike.