ATSH/ – Me pikturën e tij të parë “Nata me yje”, të realizuar në Arles në vitin 1888, Vincent van Gogu shndërroi një shesh të zakonshëm qyteti në një pamje të jashtëzakonshme, shkruan BBC.

Piktura “Tarraca e kafenesë gjatë natës”, konsiderohet si një pikë kthese në krijimtarinë e tij dhe si një pararendëse e veprës së famshme “Nata me yje”.

E realizuar në shtator të vitit 1888, kjo tablo paraqet një kafene të ndriçuar nga llambat, në qytetin francez të Arlesit, ku Van Gogu ishte vendosur disa muaj më parë.

Mbi skenën urbane ngrihet qielli blu, i mbushur me yje që duket sikur pulsojnë. Kjo ishte hera e parë, kur artisti eksploroi në mënyrë të vetëdijshme, marrëdhënien mes tokës dhe universit.

Në atë periudhë, Van Gogu ishte në kërkim të një fillimi të ri. I zhvendosur nga Parisi në jug të Francës, ai shpresonte që drita në Provence, të sillte një ringjallje shpirtërore dhe artistike.

Në letrat drejtuar vëllait të tij Teo, ai shprehej se nuk donte më thjesht të “riprodhonte atë që shihte”, por të krijonte ndjesinë e pafundësisë.

Në këtë vepër, artisti nuk portretizon vetëm një pamje të natës, por transformon realitetin, duke e kthyer një shesh të zakonshëm, në një hapësirë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen në mënyrë ëndërrimtare.

Më poshtë vijojnë pesë detajet kyçe të pikturës, që ndihmojnë për të kuptuar mënyrën se si Van Gogu arriti të realizonte këtë transformim artistik:

1. Gurët e sheshit

Në planin e parë të pikturës, shtrihen kalldrëmet shumëngjyrëshe që reflektojnë dritën e llambave të kafenesë.

Van Gogu nuk i trajton si element dytësor, por si pjesë thelbësore të kompozimit.

Ngjyrat e verdha, jeshile dhe vjollcë krijojnë një efekt drite, pa përdorur të zezën tradicionale të natës.

Poshtë këtij sheshi, sipas historisë së qytetit, ndodhen struktura të lashta romake të mbetura nga Arlesi antik.

Kjo i jep pikturës një ndjesi shtresëzimi mes të kaluarës dhe të tashmes.

2. Kolonat

Në sfondin e pikturës, Van Gogu nuk paraqet thjesht një ndërtesë me dritare, por sugjeron praninë e mbetjeve të arkitekturës romake.

Këto elemente të lashta, të përfshira në peizazh, krijojnë ndjesinë se historia është ende e pranishme, edhe kur nuk shihet drejtpërdrejt.

3. Karriget dhe tavolinat bosh

Edhe pse pamja sugjeron një atmosferë të gjallë kafeneje, shumë prej tavolinave janë bosh.

Kjo krijon një ndjesi pritjeje, sikur diçka po ndodh ose sapo ka ndodhur. Hapësira e zbrazët i jep pikturës, një tension të heshtur dhe teatror.

4. Kulla në sfond

Në thellësi të kompozimit, ngrihet një kullë e errët që tërheq vështrimin lart.

Ajo shërben, si urë mes jetës së përditshme dhe dimensionit shpirtëror të veprës, duke lidhur tokën me qiellin me yje.

5. Yjet

Qielli është elementi më i rëndësishëm simbolik i pikturës. Yjet nuk janë thjesht dekorativë, por të vendosur me kujdes, duke krijuar ndjesinë e një universi të strukturuar.

Ato përfaqësojnë për Van Gogun idenë e pafundësisë dhe të një bote përtej realitetit të dukshëm.

Kjo pikturë konsiderohet sot si një nga veprat që shënoi kalimin e Van Gogut drejt stilit të tij më të njohur, ku realiteti dhe ndjenja shpirtërore bashkohen në një gjuhë të re vizuale.

Veprat e Van Gogut gjatë kësaj periudhe mbeten ndër më ndikueset në historinë e artit modern./ /a.i/