ATSH/“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë mbeten të shkëlqyera. Është vlerësim i vazhduar për ne, që në Turqi jetojnë një numër i madh i qytetarëve turq me origjinë shqiptare, të cilët kanë kontribuar për shtetin e kombin turk. Turqia ka dëshmuar, se është një vend mik, i cili i është gjendur Shqipërisë pranë në ditët e vështira”, u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në Forumin e Investimeve Turqi-Shqipëri, të organizuar nga Unionet e Tregtisë të dy vendeve tona.

Sipas ministres, Turqia ishte vendi i parë, i cili pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dërgoi skuadrat e shpëtimit duke ju gjendur pranë popullit shqiptar në një nga katastrofat natyrore me të mëdha.

Tashmë, ka filluar edhe ndërtimi i banesave në zonën e Laçit, ku së bashku me ndërtimet në zonën e Thumanës, arrijnë në një vlerë investimi prej 42 milionë euro.

“Turqia ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë në rajon e më gjerë. Ndaj forcimi, zgjerimi dhe thellimi i pandalshëm i marrëdhënieve të shkëlqyera me Turqinë mike e aleate në NATO, në kushtet e reja të angazhimeve të përbashkëta të sigurisë, paqes dhe të zhvillimit ekonomik, mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të politikës së jashtme të institucioneve shqiptare”, nënvizoi Denaj.

Shqipëria vlerëson kontributin e madh të Turqisë në rritjen e njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe vlerëson mbështetjen në vazhdimësi për shoqërinë dhe institucionet shqiptare në rajon.

Gjithashtu, Turqia është edhe një partner kryesor tregtar i Shqipërisë, ndaj Shqipëria i jep prioritet zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe nxitjes së investimeve direkt turke në Shqipëri dhe anasjelltas.

“Shkëmbimet tregtare me Turqinë, pavarësisht pandemisë kanë njohur rritje Volumi i importeve gjatë 2020-s u rrit me 12% krahasuar me një vit më parë”, shtoi Denaj.

Deri më sot, kemi rreth 600 biznese turke që operojnë në Shqipëri, të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.

Forum i Investimeve shërbeu si një ftesë për pjesëmarrje të investitorëve turq në sektorët strategjikë të vendit tonë: turizmi, transporti, infrastruktura, bujqësia, energjia, etj.

Qeveria Shqiptare vijon të ketë interes mbi nxitjen e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, blegtorisë, tekstileve dhe mbi nevojën e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë midis qyteteve kryesore të të dy vendeve.