ATSH-AFP/- Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez ka paralajmëruar për rrezikun e shpërthimit të trazirave të reja, gjatë festës së Halloween-it dhe protestave masive të planifikuara për këtë të shtunë.
“Autoritetet e sigurisë kanë zbuluar shumë thirrje në rrjetet sociale për protesta dhe grumbullime njerëzish, të cilat paraqiten si pjesë e festimeve të Halloween-it”, tha sot Numez.
“Rreziku i trazirave në qytete është shumë i lartë, nga orët e para të mbrëmjes deri vonë gjatë natës”, paralajmëroi ministri.
Sipas tij, shqyrtimi i këtyre thirrjeve tregon se organizatorët synojnë të shkaktojnë trazira të reja.
Ekziston gjithashtu rreziku i organizimit të marshimeve të papritura, pa njoftuar paraprakisht autoritetet.
Lëvizja e njohur si “Jelekë Verdhët” ka njoftuar një raund të tretë protestash për këtë të shtunë.
Anëtarët e saj kanë bërë thirrje për tubime dhe protesta ulur përpara Asamblesë Kombëtare, parlamentit francez, si dhe përpara bashkive në të gjithë Francën.
Edhe sindikatat kanë bërë thirrje për organizimin e protestave.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka cilësuar demonstratat e së shtunës si protesta me rrezik të lartë dhe ka kërkuar që marshimet të zhvillohen jashtë qendrave të qyteteve.
70 mijë efektivë policie u angazhuan fundjavën e kaluar
Të shtunën e kaluar, autoritetet franceze arritën të shmangnin përhapjen e dhunës në shkallë të gjerë, si ajo që ishte regjistruar gjatë protestave një javë më parë.
Për këtë qëllim, u angazhuan 70 mijë efektivë policie, përfshirë forca speciale, njësi të posaçme ndërhyrjeje, automjete të blinduara dhe mjete për hedhjen e ujit me presion për shpërndarjen e turmave.
Ministri i Brendshëm planifikon të angazhojë një numër po aq të madh forcash policore edhe këtë fundjavë.
Sipas Ministrisë së Brendshme, të shtunën e kaluar rreth 410 mijë persona dolën në rrugë në të gjithë Francën, nga të cilët rreth 110 mijë në Paris.
Prej disa javësh, të rinjtë në Francë po protestojnë për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve në shkolla.
Këtyre protestave u janë bashkuar edhe grupe të tjera, të cilat po përqendrohen veçanërisht te rritja e kostos së jetesës, që përfshin shpenzimet për ushqime, banesa dhe nevoja të tjera të përditshme. //a.i/



























