ATSH/ -Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”
Për të bërë përmbledhjen shpjeguese të përmbajtjes së projektaktit, i ftuar në komision ishte Petro Koçi, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes.
Koçi, theksoi se kjo marrëveshje e bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë është në kuadër të bashkëpunimit dhe miqësisë me Republikën e Turqisë, me synim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme miqësore dhe për të kontribuar në ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është përcaktimi i bazës së alokimit të burimeve financiare, por të papërdorura prej 2 309 863.24 dollarë amerikanë nga qeveria e Republikës së Turqisë, për të blere shërbime për qëllime ushtarake mundësisht nga firmat dhe shoqëritë që e kanë 100% të prodhimit të brendshëm, kryesisht në Turqi”, sqaroi më tej Koçi.
Anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
/gj.mima/ /a.g/