TIRANË, 24 qershor/ATSH/ 521 biznese kanë përfituar kredi me Garancinë Sovrane 1 për pagat e stafit të tyre. Fondi i miratuar për këto kredi llogaritet 6 miliardë e 31 milionë lekë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se numri i aplikimeve ka arritur në 751 për një fond tërësor rreth 8 miliardë e 71 milionë lekë.

Kreditë nga Garancia Sovrane për pagat e punonjësve janë me interes 0 dhe periudhë pa shlyerje të principalit prej 3 muajsh.

Në vjim të zbatimit të planit financiar për rimëkëmbjen nga COVID-19 qeveria miratoi që në fillim të muajit prill linjën e garancisë shtetërore, në vlerën 11 miliardë lekë, në favor të 12 bankave të nivelit të dytë, pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për të përballuar pagat e tregtarëve ose të shoqërive tregtare, aktiviteti i të cilave u mbyll ose u ndikua me ulje të xhiros në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) krahas garantimit të principalit, mori përsipër të rimbursojë interesat e huave që do të trajtohen nën këtë Marrëveshje Garancie.

ATSH