/ATSH/ Gjatë periudhës janar-korrik 2020, në kalatat portuale të Portit të Durrësit, më i madhi në vend janë përpunuar 796 mjete lundruese.

Autoriteti Portual i Durrësit bëri të ditur se në terminalin lindor, janë akostuar 77 anije, atë perëndimor, 157 anije tregtare, ndërsa në terminalin e konteinerëve numri i anijeve të përpunuara arrin në 96 anije.

Tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona e anasjelltas kanë kryer 407 lundrime, ndërsa numri i jahteve arrin në 59 gjithsej.

Sipas APD-së, për pritjen dhe përpunimin e tyre janë angazhuar edhe institucionet ligjzbatuese, si Policia e Kufirit, Kapiteneria e Portit, Dogana, etj.

Numri i anijeve tregtare që janë përpunuar në të tre terminalet është thuajse i njëjtë me të njëjtën periudhë të 2019-ës.

Por, për shkak të pandemisë së COVID-19, ka pësuar një rënie të lehtë lundrimi i trageteve, jahteve dhe kroçerave drejt Durrësit dhe anasjelltas. /a.gjonaj/j.p/