Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i dorëzoi familjes së Genc Trëndafilit titullin “Qytetar Nderi”, si një vlerësim i merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim dhe trashëgimi kulturore.

 

Genc Trëndafili ka qenë një ndër figurat më të spikatura në arsimin elbasanas dhe më gjerë, ish-drejtor i shkollës “Luigj Gurakuqi” dhe një ndër metodistët më të shquar të gjeografisë. Ai është autor i librit “Didactic of Geography”, një tekst i rëndësishëm akademik që mbetet një udhërrëfyes për mësimdhënien moderne në këtë fushë.

 

Përveç kontributit të palodhur në edukimin e brezave, Trëndafili ka luajtur një rol thelbësor edhe në pasurimin e jetës kulturore të qytetit. Ai ka kontribuar në ngritjen dhe sistemimin e Muzeut të Shkollës Normale të Elbasanit, një institucion simbol për historinë e arsimit shqiptar.

 

“Puna dhe vlera e tij do të jetojnë përjetë ndër breza. Respekt dhe nderim për një figurë të rrallë të dijes dhe kulturës shqiptare,” u shpreh Kryetari Llatja gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit.

 

Pak histori:

Genc Trendafili ndër të tjera i  njohur edhe si  ideatori i muzeut i  shkollës normale në Elbasan. Ky muze është i konceptuar si një muze historiko-pedagogjik. Dokumentet janë vendosur në një rend logjiko-kronologjik duke pasqyruar etapat dhe ngjarjet më të rëndësishme të historisë së arsimit të popullit tonë.

Profesor Trendafili e projektoi ndërtimin fizik të muzeut në dy pjesë të cilat trajtojnë etapa dhe tema të ndryshme. Pjesa e parë që përmban informacionin historik mbi shkollën që nga krijimi i saj deri në vitin 1990 dhe pjesa e dytë, e cila përmban informacion nga viti 1990 deri në ditët e sotme.