TIRANË, 9 prill/ATSH/- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri hapi fjalën në kongresin e PS-së, i cili theksoi se vendimmarrja e sotme i hap rrugë gjithë procesit të rinovimit në çdo degë të PS-së në të gjithë Shqipërinë.
Gjiknuri u shpreh se “PS me krenari është simboli i forcës politike me ide të reja, të guximshme, shpesh edhe të debatueshme në shoqëri dhe në momente të caktuara, por gjithmonë duke guxuar në përballjen e sfidave të së ardhmes. Edhe pse shumë të panjohura na presin, nën drejtimin e PS, e ardhmja është gjithmonë më e sigurtë.“A ka patur gabime dhe dështime?! Patjetër po. Por ne socialistët e dimë mirë se suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, ajo që ka rëndësi është vullneti dhe kurajo për të vazhduar, për të parë të kaluarën dhe për të parë nga e ardhmja”, pohoi ai.
Sipas tij, ajo që i karakterizon socialistët është vullneti dhe kurajo për të vazhduar përpara pavarësisht vështirësive”.
“Shumë syresh kohët e fundit, tek shohin shkërmoqjen dhe kacafytjen e kundërshtarëve, shtrojnë pyetjen, se përse PS si në opozitë por dhe në qeverisje, pavarësisht debateve dhe përplasjes së ideve, ka dalë gjithmonë më e fortë dhe më e ripërtërirë se me parë?! Shumë e ngrenë këtë pyetje. U them!! …është shumë e thjeshtë të “nderuar cinikë dhe skeptikë”; mjafton të kultivosh ndër vite njësoj si bimët , kulturën e debatit dhe respektimin e ideve, pavarësisht moshës dhe gjinisë; te preferosh lopatën që ndërton ne vend të kazmës që shkatërron; të urtësohesh kur të tjerët bërtasin, të përdorësh arsyen në vend të forcës; të jesh i përulur në manifestimin e fuqisë së pushtetit dhe të kuptosh që dhe fuqia e pushtetit ka limitet e saj, e që kurrë nuk lartësojnë as njeriun e zakonshëm e as udhëheqësin e lartë, por nxjerr ne pah vlerat dhe dobësitë. Kjo është ADN e Partisë Socialiste, dhe këtu gjen përgjigje dhe pyetja se përse kemi qenë dhe mbetemi më të votuarit dhe përse jemi më të mirët”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi se vullnetarë dje, patronazhistë sot, që nga i riu që synon të anëtarësohet për herë të parë në partinë tonë e deri tek kryetari i saj, të gjithë së bashku, jemi jo thjesht zgjidhja e vetme, por e vetmja zgjidhje për Shqipërinë.
Historia e PS-së është pjesë e historisë moderne të Shqipërisë, tha Gjiknuri duke shtuar se “e kemi nisur me kurajo nga zero, me një shtet të rrënuar që në themele,dhe kemi ndërtuar themelet e shtëpisë sonë të përbashkët. Ditëm të jemi opozitë konstruktive që qorton, por edhe në dispozicion të shndërrimit të qeverisjes në një hapësirë bashkëpunimi përtej vullnetit të numrave tanë dhe mazhorancës sonë”.
Gjiknuri shtoi se “ne kemi nevojë të vetme Shqipërinë dhe Shqipëria ka gjithmonë nevojë për një politikë njerëzore. Këtë Partia Socialiste e ofron.Ndërtuam ditë pas ditë identitetin tonë shtetformues duke u bërë identikiti i shërbëtorëve publik”.
“Trinomi aspak i shenjtë që nisi me tërmetin e 2019-ës, vazhdoi me pandeminë që gjunjëzoi botën dhe po vazhdon me luftën që duket nuk ka fund, po ndryshon botën. Në fakt këto janë sprova të mëdha me të cilat jemi në ballafaqim e sfidë pa asnjë shans tjetër, përveçse që t’i përballojmë ato siç dimë t’i përballojmë ne socialistët. Të bindur se demokratizimi i partisë është kusht parësor për demokratizimin e gjithë vendit, ne synojmë ta bëjmë organizatën tonë politike një shtëpi më të hapur për këdo që do të afrohet me ne dhe që kërkon të japë kontribut dhe jo të sillet si agjent transaksional që kërkon vetëm të marrë mbrapsht nga kjo shoqëri”, tha Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së tha se “vendimmarrja e sotme që i hap rrugën procesit të rinovimit të strukturave drejtuese në çdo degë të Partisë në Shqipëri, për t’u shtrirë më poshtë në çdo njësie vendore e deri te organizata bazë. Edhe struktura e re ekzekutive që propozohet për herë të parë, këtij qëllimi i shërben, duke e bërë PS një parti moderne jo vetëm në ide, por dhe në organizim edhe në struktura dhe jo vetëm për të fituar zgjedhjet, por mbi të gjitha për t’u vetkorrigjuar gjithmonë dhe për të qenë gjithmonë një forcë e aftë për të konkurruar”.
Besimi i qytetarëve tanë për një mandat të tretë qeverisës, nënvizoi ai, duhet përkthyer padiskutim edhe në një përgjegjësi më të madhe për të dëgjuar shqetësimet, por dhe propozimet që na vijnë nga baza e partisë.
Më tej, Gjiknuri tha se Këshillimi kombëtar është një instrument që u dëshmua i dobishëm dhe që do të frymëzojë qeverinë për politika të reja.
“PS ka ditur të jetë dhe është forca politike më e hapur për gratë, për gjysmën tonë më të mirë të shoqërisë. Kabineti ynë qeveritar është kthyer model i mbështetjes dhe progresit të grave dhe vajzave në shoqëri. Kështu duhet të jetë edhe forca jonë politike, një derë e hapur për cilëndo vajzë dhe grua që do të bëhet pjesë e PS”, pohoi ai.
Ai theksoi se afrimi i të rinjve në politikë është treguesi më i mirë i edukimit qytetar, i demokracisë pjesëmarrëse dhe një garanci për të ardhmen e demokracisë.
“Sigurisht zhgënjimi i shumë njerëzve dhe I të rinjve duhet të na bëjë dhe ne të reflektojmë për gjërat që nuk kanë shkuar shumë mirë, megjithatë indiferenca dhe cinizmi I shprehur thjesht dhe vetëm në mediat sociale, nuk i ndihmon të rinjtë. Prandaj është e domosdoshme që të rinjtë dhe të rejat të kuptojnë dhe të marrin vetë në dorë fatet e tyre dhe të vizatojnë të ardhmen e tyre”, u shpreh Gjiknuri.



























