/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 4 vijojnë aktive dhe 1 është nën monitorim, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 350 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të strukturave në terren, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë në Tiranë, Lufaj në Mirditë dhe Tërbun në Pukë.

Në Dajt, operacioni për izolimin dhe shuarjen e zjarrit vijon me angazhimin e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura, 15 zjarrfikësve dhe 5 forcave të AZM-së. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Tërbun të Pukës, vijon angazhimi i strukturave vendore, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, me mbështetjen e dy helikopterëve. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Situata paraqitet në përmirësim edhe në disa prej zonave të prekura nga zjarret gjatë ditëve të fundit. Vatrat në Gurë-Lurë, Bruç të Matit, Tharrë të Mirditës dhe Selenicë janë shuar plotësisht.

Ndërkohë, në Qafë Helmes vijon monitorimi i situatës dhe ndërhyrja e forcave lokale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë punën dhe monitorimin në terren, me fokus izolimin e plotë të vatrave aktive dhe mbrojtjen e zonave të banuara.

/gj.m/