Të enjten luhen ndeshjet e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, me katër skuadrat që do të pretendojnë ta fitojnë këtë titull, i dyti për nga rëndësia në vendin tonë pas kampionatit. Kukësi do të presë Teutën në “Elbasan Arena”, ndërsa Bylisi do të luajë me bardheblutë e Tiranës.

Kupa është një rrugë e sigurtë drejt Europës dhe skuadrat do ta tentojnë deri në fund, me Kukësin nga ana tjetër që e sheh si “ngushëllim” edhe për faktin se kampionati thuajse u ka ikur nga duart. Tekniku Orges Shehi vlerëson Teutën, por ka besim se skuadra që ai drejton do të dijë të bëjë më të mirën në ndeshjen e parë dhe të hedhë një hap drejt kalimit në finale.

Ndërkohë, ndeshjet e kthimit do të zhvillohen në 15 korrik, kur edhe do të përcaktohen dy finalistët e këtij edicioni.