Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përcolli lajmin se Parku Kombëtar i Butrintit gjatë janarit të këtij viti priti 205% më shumë vizitorë krahasuar me janarin e vitit 2024.
Butrinti priti vizitorë të huaj, që në ditën e parë të 2025-ës. Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon, në fushëgropë të Delvinës.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.
Parku Kombëtar i Butrintit është një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e parkut, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. /j.p/atsh