Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilluan sot një takim në ambientet e Tirana Industrial Park me përfaqësues të bizneseve dhe punonjës të zonës, me fokus në diskutimin për politikat e punësimit dhe aftësimit profesional.

 

Takimi synoi diskutimin e politikave mbi forcimin e një tregu pune më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke vendosur në qendër arsimin dhe formimin profesional si shtylla thelbësore për zhvillim.

 

Ministri Gonxhja prezantoi një përmbledhje të transformimit rrënjësor që ka pësuar tregu i punës në Shqipëri nga viti 2013 deri më sot, duke theksuar arritjet dhe reformat e ndërmarra. Gonxhja po ashtu rreshtoi dhe 26 shkolla të arsimit profesional në të cilat është investuar.

 

Reforma në punësim dhe aftësim (2013–2024)

 

Në vitin 2014 nisi reforma kombëtare për punësim dhe aftësi, me miratimin e Strategjisë Kombëtare 2014–2020, e cila vendosi bazat për integrimin e tregut të punës me arsimin profesional dhe nxitjen e punësimit dinjitoz. Gjatë këtyre viteve është realizuar një 5-fishim i fondeve për programet e nxitjes së punësimit dhe është ndërtuar një sistem modern i shërbimeve të punësimit, përfshirë digjitalizimin dhe profilizimin e punëkërkuesve.

 

Nga viti 2016, filloi modernizimi i infrastrukturës së zyrave të punës dhe trajnimi masiv i punëkërkuesve, ndërsa në 2017 u miratua ligji i ri për Arsimin dhe Formimin Profesional dhe u standardizuan profesionet përmes një katalogu të kualifikimeve.

 

Në vitin 2019 u krijua Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), duke bashkuar për herë të parë politikat e punësimit dhe aftësimit, ndërsa 2020 solli një përgjigje të strukturuar ndaj krizës së pandemisë me mbi 20 mijë përfitues nga programet e mbështetjes për punësim.

 

Treguesit për vitin 2024

 

Sot, Shqipëria shënon një papunësi rekord të ulët prej 8,8% për grupmoshën 15+, më e ulët se në Greqi (9.5%) dhe Spanjë (10.75%). Numri total i të punësuarve ka arritur në 1 327 000, me një rritje mbi 300 mijë persona krahasuar me vitin 2013, ndërsa paga mesatare është rritur nga 322 euro në 830 euro.

 

Sistemi i shërbimeve të punësimit është tashmë tërësisht i digjitalizuar me 12 shërbime online, ndërsa platforma “puna.gov.al” shërben si qendër unike për ndërveprim të qytetarëve me administratën publike të punësimit.