Nga sot, Shqipëria hyn në një fazë me lehtësime të reja të vendosura nga qeveria për hapjen graduale të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e koronavirusit.

Me urdhër të qeverisë shqiptare kanë rifilluar punën edhe një sërë biznesesh, të cilët për arsye sigurie kanë qëndruar prej më shumë se dy muaj mbyllur. Një ndër bizneset të cilët hapën dyert sot, ishin edhe parukeritë dhe qendrat estetike.

Parukieri i mirënjohur elbasanas, Enea Shukle, shprehet për Tv Skampa se pavarësisht se kanë qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllur, pritshmëritë janë të mëdha.

Por gjatë këtyre dy muajve shumë femra kanë vendosur të ndërhyjnë vetë në lukun e tyre, edhe pse sipas profesionistit, kjo gjë nuk është e këshillueshme.

Që prej ditës së sotme, bashkia e Elbasanit i bashkohet zonave të gjelbra dhe për këtë arsye pjesa më e madhe e bizneseve do të vijojnë aktivitetin normal.

Elbasaninews.tv