Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimmarrja për hapjen e sezonit turistik është shumë e vështirë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE, Luigi Soreca, Rama solli shembullin e Koresë së Jugut.

“Në Korenë e Jugut është rivendosur mbyllja e bareve dhe restoranteve sepse si rezultat i hapjes së tyre vetëm në pak kohë numrat e të infektuarve kërcyen përtej të arsyeshmes në këndvështrimin e autoriteteve shëndetësore koreane”, tha Rama.

“Duhet të përgatitemi që këtë ta shohim kudo edhe në Shqipëri, një rritje të numrave, por ama nëse rritja e numrave do të shkojë përtej të arsyeshmes dhe e arsyeshmja është balanca mes numrave të të infektuarve dhe nevojës së njerëzve për të marrë shërbim. Në mënyrë që sistemi ynë shëndetësor që kaloi një situatë të jashtëzakonshme me sukses kaq të madh të mos kolapsojë. Dhe nga vijnë rreziqet. Rreziqet vijnë pikërisht nga ato aktivitete që për nga natyra mbledhin më shumë njerëz. Dhe aktivitet më intensive për nga mbledhja e më shumë njerëzve në të njëjtën kohë për të ushtruar të njëjtin aktivitet sesa turizmi nuk ka”, u shpreh Rama.

“Ne jemi përpara një vendimmarrje shumë të vështirë. E dimë që duke qëndruar të mbyllur, duke mos lejuar zhvillimin e sezonit e garantojmë jashtëzakonisht shumë shëndetin. Por dimë nga ana tjetër që kjo nuk është një zgjidhje sepse në anën tjetër goditja ekonomike dhe financiare, por edhe psikologjike mund të jetë eksponenciale”, tha Rama.

Atëherë, nënvizoi kryeministri Rama, “këtu është e domosdoshme që të mirëkuptohemi për nevojën që gjithkush të bëjë detyrën e tij në raport me mbrojtjen e shëndetit. Këtu të gjithë duhet të kuptojnë se nuk është çështje policie, nuk është çështje ushtrie, nuk është çështje gjobash, nuk është çështje heqje lirie e Kodi Penal e kështu me radhë. Këtu është çështje qytetarie në radhë të parë. Çdo kush duhet të jetë roja i shëndetit të tij dhe njerëzve rreth e rrotull tij”.

Atsh