ATSH/ Në historikun shqiptar të artizanatit, Kukësi zë një vend të veçantë për larmishmërinë e produkteve dhe uniticitetin e tyre.
Që në kohët e moçme endja në vegjë e pëlhurave prej liri, pambuku e leshi, punimet me grep, qëndisje, prodhimi dhe dekorimi i veshjeve popullore, kanë qenë profesioni i vetëm për gratë dhe vajzat e kësaj zone.
Hatixhe Kallabaku nga Shishtaveci, e cila është artizania e vjetër në profesion e fshatit.
Nënë Hatixhe thotë se “kam 21 vite që punoj pa u shkëputur në këtë zanat. Sa të mundem do të punoj, pasi është një punë e vështirë, por e mirë”.
“Çdo vajzë ka një veshje popullore. Ka shumë kërkesa për veshjet popullore, e duan kulturën tradicionale. Kam porosi nga shumë qytete deri në Mitrovicë. Nga Gjirokastra kam shumë kërkesa si për veshjet e grave dhe të burrave”, – thekson Hatixhja.
Shishtaveci ka qene fshati qe shumica e grave kishin profesion Artizanatin, çdo familje ka pas vegë në shtëpi, por me kalimin e kohës dhe emigracioni ky zanat filloi duke u zbehur tek vajzat dhe gratë edhe pse nënë Hatixhja ka mësuar brezin e ri interesi i vajzave për këtë zanat nuk ka qenë i dëshiruar.
“Kur ishim të reja nuk ka pasur vajzë në fshat të mos dijë të përdorë vegjë, pasi atëherë këto ishin veshjet tona të përditshme.Pas viteve ’90 e lanë punën në vegjë. Më pas nisëm dy gra të punonim në vegjë dhe filluam të kishim shumë kërkesa”, – shprehet Hatixhja.
Hatixhja thotë se “artizanti është shumë i bukur, me sa mundësi kam shkoj ndihmoj edhe gratë e tjera që punojnë endin në vegjë.
Shumë e lashtë vjen tek gratë tradita e punimit të leshit në avlemend. Leshi përdorej në prodhimin e veshjeve dhe të gjitha pëlhurave që i nevojiteshin një shtëpie.
Fakti që Kukësi ka qenë shumë i izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë, për mungesë të infrastrukturës rrugore ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e traditave të artit popullor, që vjen pothuajse e pandryshuar deri në ditët e sotme .
Tekstilet e leshta të Kukësit shquhen për teknikën unike, ashtu siç janë të veçanta edhe thurjet me shtiza, ojat, dantellat, qëndisjet e shumëllojshme.
Veshjet popullore manifestojnë kulturën tradicionale të zonës dhe janë trashëguese e transmetuese të shumë elementëve që vijnë nga lashtësia.
Janë karakteristike dhe të lashta, motivet popullore që përdoren në prodhimin e qilimave dhe sexhadeve, me kombinime shumëngjyrëshe me shije të hollë artistike, të cilat nuk mund të gjenden në asnjë zonë tjetër në Shqipëri.