Prej kësaj të hëne në laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë nisur testimet serologjike.
Të parët që u janë nënshtruar vlerësimit të imunizimit janë mjekët dhe infermierët. Por testet e para janë provë për aparaturën.
Testi i serologjisë i cili do u kryhet edhe të infektuarve me COVID-19, tregon antitrupat që mund të jenë formuar si pasojë e kalimit të infeksionit, duke bërë që organizmi të fitojë imunitet nga riinfektimi.
Vjollca Duro, mjeke pranë laboratorit në QSUT thotë se “testimet kanë nisur për personelin e QSUT-së, personat që kanë qenë më në kontakt me infeksionin. Aktualisht ne do të bëjmë një sasi, kampion mostrash për të bërë një vlerësim paraprak. Mesatarisht në orë, aparati mund të kryejë 150 testime. Kaq është kapaciteti për orë i aparatit”.
Analiza serologjike kryhet përmes gjakut. Pas bluzave të bardha dhe të infektuarve me COVID-19, testi do u kryhet edhe punonjësve të policisë dhe grupeve të tjera të riskut. z.tosku/ /j.p//r.e/atsh