ATSH/ -Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian zhvilloi sot takimin e radhës online me temë: “Zbatimi i Planit të Veprimit për hapjen e negociatave të miratuar në Kuvend me rezolutën e dt. 24.09.2020 mbi “Hapjen e Negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe Miratimin e Planit të Masave për Përmbushjen e Përparësive të Përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian”.

Nënkryetari i KKIE, Taulant Balla vlerësoi institucionet e përfshira në planin e masave për punën e tyre në përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i BE.

Balla tha se, “është dukshëm një punë e rëndësishme e plotësuar në çdo përparësi të lënë nga Këshilli pavarësisht shtyrjes së mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, e cila për fat keq ndodhi për arsye që shkojnë përtej nesh”

Megjithatë, shtoi Balla, “pavarësisht shtyrjes, që po i bëhet në vazhdimësi mbajtjes së Konferencës së Parë, ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave, jo sepse BE i po na kërkon ato, por sepse ua kemi borxh qytetarëve tanë, të cilët në mënyrë unanime, më shumë se 95% mbështesin proceset integruese të vendit”.

Balla tha se, “pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë të bindur që reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit janë të duhura, për të mirën e vendit tonë pikë së pari”.

Për këtë qëllim , nënvizoi Balla, “nuk ka dhe nuk do të ketë tërheqje pas në rrugën e reformave, kur reforma në drejtësi do të vijojë të mbetet një prioritet i mazhorancës tonë”.

Balla tha se, “edhe reforma zgjedhore nuk duhet të qëndrojë jashtë vëmendjes në këtë raportim. Amendamentet e miratuara në Kodin Zgjedhor, të cilat erdhën për pasojë e marrëveshjes së 5 qershorit ishin një hap tjetër i rëndësishëm. Dhe dua të nënvizoj faktin, që mazhoranca këtu në Kuvendin e Shqipërisë i qëndroi strikt marrëveshjes së 5 qershorit si pjesë e seriozitetit tonë në marrëdhënie edhe me opozitën jashtë parlamentare dhe besoj që tashmë i gjithë kuadri ligjor për garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike dhe të gjithë pranuara është i plotë.

Balla tha se, “shpresoj që të gjithë partitë politike që do të regjistrohen dhe do të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, jo vetëm të respektojnë standardet në këto zgjedhje, por padyshim, ajo që është më e rëndësishme për zgjedhjet në Shqipëri është që të gjitha forcat politike të pranojnë rezultatin përfundimtar në zgjedhje. Edhe pse edhe në vitin 2017 rezultati përfundimtar i zgjedhjeve u gjithëpranuar kur u shpall si i tillë nga KQZ, por pastaj kujtojmë që një pjesë e forcave politike u kujtuan për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve”.

Ndërsa kryetarja e KKIE, Rudina Hajdari tha se, “procesi i integrimit europian të Shqipërisë ka bërë hapa pas dhe për këtë ne duhet të jemi realist, pavarësisht faktit që kuptoj që i gjithë procesi është një proces që mbart një interes të lartë kombëtar dhe duhet të shihet si i tillë”.

“Ajo çka mbetet për t’u parë me vëmendje, sidomos nga ana e SPAK-ut, është sidomos zhvillimet e fundit, pra të përgjimeve të cilat kanë dal në pah ditët e fundit, që tregojnë mbi një aferë të shëmtuar korruptive që ka të bëjë me implikimin e anëtarëve të lartë të qeverisë me një nga mafiet më serioze dhe të rrezikshme, Ndragheta, ku përflitet për shumë persona të cilët janë të implikuar në ryshfetet që kanë marrë në këtë vend”.

Hajdari tha se, “fakti që qeveria aktuale vazhdon dhe bën të tilla afera korruptive të larta dhe këto afera pastaj quhen të atilla sikur bëhen për shkak të fushatës, kjo nuk është e drejtë. Sepse fakti që vazhdojnë të jenë një problem i lartë për shoqërinë tonë, sidomos kur bëhet fjala për sistemin shëndetësor apo koncesionet e ndryshme, ne jemi të gjithë të shqetësuar sepse Shqipërisë i kushton jashtëzakonisht shumë në përshtypjen që vendet anëtare të BE kanë tek ne, në mënyrën sesi ne vazhdojmë bëhemi pjesë e këtyre aferave të shëmtuara”.