ATSH/ Investimet në Përmet në kuadër të programit për ripërtëritjen e integruar të hapësirave në zonat turistike do krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë lokale.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projekti i investimeve në Përmet, që do të transformojë qendrën historike por edhe hapësira urbane në qytet.
“Mirëmëngjes me këtë projekt investimi për Përmetin, në kuadrin e Programit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ripërtëritjen e integruar të hapësirave në zonat turistike, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha Rama.
Rigjenerimi i integruar urban në Përmet parashikon investime në qendrën historike, një ansambël urbanistik i veçantë me rrugica me kalldrëm, shtëpi tradicionale me oborr dhe monumente fetare.
Ky projekt synon restaurimin e peizazhit urban historik të qendrës së vjetër, unifikim të fasadave, portave të vjetra dhe çezmave antike, përmirësim të aksesit të këmbësorëve dhe lidhje më të mirë të qendrës historike me qytetin modern.
Po ashtu parashikohet ndërtimi dhe sistemimi i infrastrukturës nëntokësore, sinjalistikë dhe ndriçim modern.
Ndërkohë projekti parashikon edhe rehabilitim të hapësirave në qytetin modern, me gjelbërim, kënde lojërash dhe korsi biçikletash.
Këto investime do të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë lokale nëpërmjet prezantimit dhe aksesit të përmirësuar dhe krijimit të hapësirave të dedikuara për grupmosha të ndryshme.
Në projekt parashikohet edhe rehabilitimi i kanalit “Përroi i bardhë” dhe krijimi i një hapësire publike të gjelbër në lagjen e vjetër historike, duke ftuar vizitorët vendas dhe të huaj të zbulojnë atraksionet turistike të zonës./m.m/ /a.g/