Kantieret e ndërtimit janë rikthyer me intensitet në të gjithë vendin dhe sidomos për shërbime që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Në Bashkinë e Prrenjasit po punohet për rrjetin e ujësjellësit të qytetit, në të cilin nuk ishte vënë dorë që prej ndërtimit në vitet ’70 dhe ky shërbim linte për të dëshiruar.

Investimi i Qeverisë Shqiptare do të garantojë furnizimin me ujë 24h dhe me cilësi të 2600 banorëve.

Kryetari i grupit Parlamentar Taulant Balla teksa inspektoi punimet së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Prrenjasit Nuri Belba, vuri në dukje rëndësinë e cilësisë së punimeve dhe mbarimin e tyre në kohë për të garantuar, më në fund një shërbim të shumëpritur nga banorët e Prrenjasit:

“Qyteti i Prrenjasit që ditën kur u ndërtua kishte trashëguar një sistem të shpërndarjes së ujit të pijshëm aspak në standarde, të amortiuar dhe që kishte vështirësuar cilësinë e jetës së familjeve të Prrenjasit.

Ka qenë një detyrë e kahershme, por që tashmë kemi filluar t’i japim zgjidhje përfundimtare. Përmes këtij investimi rreth 2.1 miliardë lekë të vjetra ne do të arrijmë që të gjithë abonentët e qytetit të marrin furnizim me ujë 24 h dhe me cilësi.

Bashkia e Prrenjasit është kthyer në një nga kantierët më të mëdhenj të investimit në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Në pothuajse të gjitha Njësitë Administrative po punohet në këtë drejtim.

Ne duhet të garantojmë gjithashtu që uji të mos shpërdorohet dhe të paguhet. Kjo është një zonë që paguan, por deri tani ka paguar aforfe.

Jemi në një moment shumë të rëndësishëm të investimeve në qytet. Prrenjasi bën pjesë në ato bashki të konsideruara të gjelbëra përsa i përket luftës me Covid 19 dhe rifillimi me intensitet i të gjitha punëve publike dhe ndërmarrjeve private është i domosdoshëm.

Rëndësi ka për ne cilësia e punimeve dhe mbarimi brenda afatit pasi ky është një shërbim i domosdoshëm për banorët e Prrenjasit.”

Z. Belba shtoi se ky nuk është investimi i vetëm, përsa i përket furnizimit me ujë. Në thuajse të gjitha Njësitë Administrative po punohet në këtë drejtim:

“Investimi në rrjetin e ujësjellësit të Bashkisë Prrenjas është investuar nga Qeveria Shqiptare për vitin 2020 dhe do të garantojë furnizimin me ujë për 2600 abonentë. Ka pasur probleme të përvitshme pasi ky ujësjellës është ndërtuar rreth viteve ‘70.

Investimi do të garantojë 24 orë ujë për qytetarët e Prrenjasit ndërkohë ne me fondet e Bashkisë kemi financuar rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza në lagjen e kromit.

Po ashtu në Bashkinë e Prrenjasit është çelur tenderimi i fazës së dytë të punimeve në rrjetin e ujësjellësit Dritaj-Fanjë-Karkavec, edhe ky një investim i Qeverisë Shqiptare.

Ndërkohë, janë gati projektet për ujësjellësin e Prrenjasit Fshat dhe rrjetin e jashtëm të ujësjellësit të fshatrave Qukës-Skëndërbej.

Bashkia e Prrenjasit në bashkëpunim me qeverinë po kryen investime konkrete për qytetarët e prrenjasit.”

Elbasaninews.tv