ATSH/ Vetëm dy ditë pasi u bë publike se një kompani franceze e njohur ndërkombëtarisht do të ndërtojë parkun fotovoltaik të Karavastasë, më i madhi me energji solare në Ballkan, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), njofton se kompania bullgare Energy Marvakov ka shprehur interes për bashkëpunëtorë në tregun shqiptar për prodhimin e sistemeve elektrike.
Kompania Energy Marvakov merret me ndërtimin e sistemeve elektrike moderne dhe me cilësi shumë të lartë dhe ka një eksperiencë 25 vjeçare në projektimin, prodhimin, modernizimin dhe shërbimin e njësive elektrike dhe gjeneratorëve.
“Për të siguruar cilësinë maksimale të produktit përfundimtar dhe mirëmbajtjen e tij, kompania në mënyrë të pavarur mbulon të gjithë gamën e aktiviteteve, këshillimin teknik dhe hartimin e zgjidhjeve standarde dhe jo standard, integrimin dhe ofrimin e shërbimit të gjeneratorëve elektrikë, integrimin dhe shërbimin e motorëve me naftë duke qenë përfaqësuesi zyrtar i kompanisë gjermane për motorët me naftë Hatz-Diesel, si dhe dhënien me qira të njësive elektrike”, bën të ditur AIDA.
Ky interes për bashkëpunim dhe partneritet i drejtohet kryesisht kompanive shqiptare të sektorit të energjisë dhe sistemeve elektrike.
Qeveria shqiptare e sheh të rëndësishme zhvillimin e tregut energjetik shqiptar
Pak ditë më parë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se reforma në sektorin energjetik synon krijimin e një kornize të qëndrueshme rregullatore dhe të një tregu të aftë për të tërhequr investime në prodhimin e energjisë dhe rrjeteve elektrike, qofshin këto investime të huaja apo vendase.
Po ashtu, i rëndësishëm mbetet edhe krijimi i një tregu të integruar të energjisë që lejon tregtinë ndërkufitare dhe integrimin me tregun e Bashkimit Europian, si dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të energjisë, thelbësor ky për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin shoqëror.
Sipas saj, prioritet është edhe nxitja e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe sigurisht eficienca e kësaj energjie./a.gjonaj/j.p/