ROMË, 11 qershor /ATSH-DPA/ – Deficiti i Italisë pritet të rritet mbi 10 miliardë euro për financimin e masave të shërimit pas koronavirusit, deklaroi një zyrtare e lartë e qeverisë italiane.

“Duhet të mbërrijmë deri në fund të vitit 2020, pasi po lindin nevoja të reja”, deklaroi zëvendësministrja e Ekonomisë, Laura Castelli në një intervistë me “Corriere della Sera”.

E pyetur në lidhje me shifrën e huasë shtesë, ajo tha se “një shifër realiste është mbi 10 miliardë euro, por mendoj se është ende herët për të përcaktuar një të tillë”.

Castelli tha se duhen më shumë para’ për të financuar skemat e punës për punëtorët, qeverinë lokale, industrinë e turizmit dhe sektorin e arsimit.

“Është e qartë se do të garantojmë fonde për punë, për aq kohë sa është e nevojshme dhe për të gjithë punëtorët dhe për këtë arsye rregullimet buxhetore do të jenë pasojë”, deklaroi nga ana e tij për televizionin italian RAI1, ministri i Ekonomisë, Roberto Gualtieri.

ATSH