ATSH-AFP/ – Niveli i papunësisë ka shënuar sërish rritje në muajin qershor në Itali duke arritur në 8,8%, ndërkohë që punëkërkuesit kanë rifilluar procedurat e tyre pas disa javëve izolimi që kanë ndikuar në aktivitetin ekonomik, deklaroi sot Istat.
“Numri i personave që kërkojnë punë është rritur me 7,3% në qershor (+149 000), pas një rritjeje me 22,5% në maj”, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave.
Rreth 500 000 të papunë italianë kishin hequr dorë nga kërkesa për punë gjatë kufizimit, në mungesë të perpektivave, shumë kompani dhe tregje u mbyllën, dhe për këtë arsye ishin zhdukur nga statistikat e “papunësisë”, duke rezultuar në një rënie “zyrtare” të papunësisë në Mars dhe Prill.
Që prej muajit maj papunësia ka nisur në rritje. Në qershor, ajo progresoi me 0,6 pikë për të arritur në 8,8%, me një rritje prej 1,9 pikë mes moshave 15-24 vjeç, në mesin e të cilëve niveli i papunësisë arrin në 27,6%.
“Që nga shkurti, me pandeminë, numri i personave me një punë ka rënë me 600 000”, theksoi Istat.
Italia, vendi i parë në Eropë i prekur nga pandemia, vendosi masa të rrepta kufizuese në mars dhe prill, duke paralizuar pjesën më të madhe të aktivitetit të saj ekonomik./ /ec/