/ATSH-AFP/ – Aneksimi i pjesëve të Cisjordanisë, të pushtuara nga Izraeli, do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe madje në kundërshtim me interesat e shtetit hebre, deklaroi sot kryeministri britanik, Boris Johnson në një artikull të publikuar në faqen e parë të një të përditshmeje izraelite.
Qeveria izraelite do të shprehet duke nisur nga sot mbi zbatimin e planit të presidentit amerikan, Donald Trump për Lindjen e Mesme, që parashikon aneksimin nga Izraeli të kolonive hebreje, dhe të luginës së Jordanit në Cisjordaninë e pushtuar.
“Jam një mbështetës i fortë i Izraelit, por shpresoj thellësisht se aneksimi nuk do të shkojë më tej”, konfirmoi Johnson në një artikull në hebraisht, i publikuar sot në faqen e parë të të përditshmes izraelite “Yediot Aharonot”, më e shitura në vend.
“Si një mik prej një kohe të gjatë, admirues dhe tifoz i Izraelit, kam frikë se këto propozimet për aneksim nuk do të arrijnë të sigurojnë kufijtë e Izraelit dhe kështu do të jenë në kundërshtim me interesat afatgjatë të Izraelit”, shtoi kryeministri britanik.
“Aneksimi rrezikon rrugën e marrë nga Izraeli për t’u afruar me botën arabe dhe myslimane (…) armiqtë e Izraelit do të përfitojnë nga situata dhe do ta përdorin atë kundër atyre që shpresojnë për përparim në Lindjen e Mesme”, nënvizoi Johnson duke e quajtur një aneksim një shkelje të ligjit ndërkombëtar.
“Dëshiroj një zgjidhje të drejtë për izraelitët dhe palestinezët dhe i vetmi mjet është që të dy palët të ulen në tryezën e negociatave, ndërkohë që aneksimi vetëm mund të na largojë nga ky objektiv”, theksoi Jonhson duke iu bashkuar qëndrimit të shumë liderëve europianë për këtë çështje të ndjeshme.//ec/