Rituali i kafes në gur një traditë mesjetare e mikpritjes në Gjirokastër është kthyer në një eksperincë turistike që shijohet në pazar nga dhjetëra vizitorë çdo ditë.

Lubjana që e drejton ritualin e ngadaltë të kafes e shoqëron atë me shpjegimet dhe rolin e kafes në jetën e njerëzve të qytetit që prej periudhës kur ajo shihej si produkt luksi e deri tek seti i pasur i pajisjeve ne funksion të ritualit.

“Eksperienca e kafes në gur është marrë nga shtëpitë e vjetra gjirokastrite. Ka qenë një ritual i përditshëm. Miku vlerësohej kur mikpritej në shtëpi me kafe. Para viteve ’90 kafeja ka qenë një produkt luksi për shqiptarët. Nuk mund të kishim më shumë se 100 g kafe për muaj. Nuk kishte rëndësi nëse ishim katër persona në familje apo më shumë. Ne kemi sjellë në një kënd të veçantë në pazarin karakteristik të Gjirokastrës vendin e zjarrit, trekëndëshin metalik, kemi sjellë gurin e famshëm që vërtetë e meriton ti themi i famshëm, kemi sjellë hekurin i cili godet kafen e sapo pjekur. Kemi edhe elementë si xhezvja e bakrit, por gjithashtu edhe gota e rakisë është një moment shumë i rëndësishëm. Ne na ka shijuar që kafen ta pimë të shoqëruar me raki.”, shprehet Lubjana Baoja.

Në Gjirokastër thonë banorët vendi i zjarrit dhe guri i kafes duhet të jenë gjithnjë gati sepse shtëpitë janë në çdo moment të hapura për miq.

“Ky gur ka ardhur nga një familje gjirokastrite, është më shumë se 150 vjeçar. Është guri më i fortë që mund të kemi. Çdo familje gjirokastrite e ka pasur një të tillë për kafen.”, shprehet më tej ajo.

Guri i kafes që Lubjana ju prezanton vizitorëve ka marrë miliona rrahje përgjatë 150 viteve të fundit. Rreth gurit të kafes bëheshin gjithë bisedat e mëngjesit. Kafja ishte jeta sociale dhe për pasojë ishte një proces i ngadaltë që duhej shijuar.

“Pasi e poqëm kafen në më pak se 15 minuta, për të shtypur 100g kafe ne duhet të godasim me këtë shkopin e hekurit 800 të goditura dhe në 1200 të goditura që merr nga një orë në një orë e 15 minuta.”

Në Gjirokastër, në qafën e pazarit ka një kënd që lëshon aromë kafeje të sapopjekur dhe vazhdimisht ka grupe vizitorësh kuriozë përreth që shijojnë kafen e gurit në çdo orë të ditës shoqëruar me një gotë raki dhe shumë histori që vijnë nga shekujt.

Top Channel