Më 19 qershor të 2016-ës, pra fiks katër vite më parë, Shqipëria shënonte golin e parë dhe të vetëm në një kompeticion europian. Bomberi elbasanas, Armando Sadiku, shënoi golin e vetëm kuqezi në një kompeticion të këtyre niveleve, pikërisht ndaj Rumanisë, ndeshje të cilën e fituam 1 me 0. Megjithatë, prej atij kampionati kombëtarja jonë nuk ia ka dalë të marrë më pjesë në të tilla nivele, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme. Sa i përket kuqezinjve, kanë mësuar edhe datat në të cilat do të luajnë ndeshjet e tyre, pas mbledhjes së fundit të UEFA-s.
Komiteti Ekzekutiv ka përcaktuar edhe datat në të cilat do të luhet edicioni që u jep mundësinë disa ekipeve europiane që të fitojnë një biletë për në Europian, në rast se nuk ia dalin ta sigurojnë nëpërmjet kualifikueseve tradicionale. Shqipëria, në bazë të kalendarit të mëparshëm, ndeshjen e parë do ta luajë ndaj Bjellorusisë.
Mirëpo, për këtë transfertë mund të ndryshojë vetëm data. UEFA ka saktësuar datat 3, 4, 5 për takimet e para në grupe, ndërsa për ndeshjet e dyta të këtij kompeticioni ekzistojnë datat 6, 7 dhe 8. Duke qenë se mund të riformatohet edhe një herë kalendari i ndeshjeve të Ligës së Kombeve, atëherë mbetet për t’u parë nëse do të ruhen apo jo datat e mëparshme që ka pasur ekipi ynë kombëtar si kalendar.
Në muajin tetor, do të luhen dy ndeshje për tri ditë. Transfertat me Kazakistanin dhe Lituaninë ekipi ynë përfaqësues do t’i luajë në datat 10/11 tetor dhe 13/14 tetor. Për kuqezinjtë, dy ndeshjet e fundit do të luhen në Tiranë. Mes datave 14 dhe 15 nëntor do të luhet sfida ndaj Kazakistanit dhe mes datave 17 dhe 18 nëntor, sfida e fundit në Grupin 4 të Ligës C.