ATSH/- Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ecuria e lekut në terma nominalë efektivë në tremujorin e parë të këtij viti është karakterizuar nga një forcim i lehtë i tij kundrejt tremujorit të fundit të vitit të kaluar.
Sipas statistikave të BSH-së, leku u forcua me 0.4%, në 3-mujorin e parë 2020, krahasuar me 3-mujorin e katërt të 2019.
Mbiçmimi efektiv vjetor i lekut shënoi rritje këtë tremujor, në 2.8% nga 1.7% në tremujorin e mëparshëm, duke reflektuar thuajse në të njëjtën masë mbiçmimin e lekut kundrejt euros dhe lirës turke.
Ecuri të ngjashme ka shfaqur edhe kursi efektiv real; forcimi real vjetor shënoi 2.2% në tremujorin e parë të vitit, nga 1.0% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Kursi nominal efektiv i këmbimit (KNEK) llogaritet kundrejt monedhave të pesë partnerëve
tregtarë kryesorë (Itali, Greqi, Gjermani, Turqi dhe Kinë), duke përdorur peshat përkatëse në tregti.
Me qëllim përllogaritjen e kursit lira/lek dhe renminbi/lek, kursi zyrtar referues mbetet
ai i lirës turke dhe renminbit kinez ndaj dollarit amerikan. Kursi real efektiv i këmbimit (KREK) llogaritet në mënyrë të ngjashme, por duke faktorizuar edhe normat e inflacionit në vend dhe me vendet partnere. e.xh/j.p/