Në fjalën e tij të hapjes së takimit, nënkryetari i KKIE, Taulant Balla deklaroi se bujqësia mbetet një nga sektorët me potencialin më të madh për zhvillim në Shqipëri dhe është burimi kryesor i punësimit dhe të ardhurave sidomos në zonat rurale të vendit.
Sipas Ballës, bazuar në të dhënat nga INSTAT, ky sektor aktualisht siguron rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rreth 37.4% të punësimit total.
“Nëse i referohemi raportit të Bashkimit Europian, Shqipëria ka një nivel të mirë të përgatitjes në këtë fushë. Në raport Komisioni thekson se Shqipëria bëri një progres në zbatimin e masave përkatëse në sektorin e sigurisë ushqimore dhe veterinare, si dhe në regjistrin e kafshëve. Pavarësisht këtij fakti jemi të vetëdijshëm se vendi ynë ka akoma shumë për të bërë në fushën e bujqësisë dhe veçanërisht për sa i përket sigurisë ushqimore”, tha ai.
Politika e përbashkët bujqësore e BE-së, sipas Ballës, mbështet fermerët dhe zhvillimin rural, por sigurisht që kjo kërkon sisteme të forta menaxhimi dhe kontrolli.
Nga ana tjetër, ai tha se “duhen respektuar dhe zbatuar edhe rregullat e përbashkëta të BE-së për politikat e cilësisë dhe bujqësisë organike”.
“Referuar fushës së sigurisë ushqimore, politika dhe e drejta e BE-së ka për qëllim të mbrojë konsumatorët si dhe të garantojë funksionimin e tregut të brendshëm lidhur me produktet ushqimore. Të mos harrojmë se të gjithë jemi konsumatorë dhe siguria ushqimore lidhet direkt me jetën dhe shëndetin tonë, të fëmijëve dhe të afërmëve tanë dhe plotësimi i standardeve në këtë fushë duhet të jetë pavarësisht detyrimeve të anëtarësimit në BE”, tha ai.
Për këtë qëllim, Balla vlerësoi se “rekomandimet e Komisionit ndër vite janë një udhërrëfyes i rëndësishëm në këtë drejtim”.
Duke theksuar rëndësinë e respektimit të masave antikovid, Balla tha se “situata është tejet serioze dhe ne si parti politike duhet të jemi të parat që duhet të japim shembullin e respektimit të këtyre rregullave”.
“Për fat të keq konstatoj që këto masa nuk po respektohen duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Gjej rastin në këtë Këshill të ritheksoj rëndësinë e masave”, tha ai.
Në përfundim, Balla siguroi po ashtu se Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në zbatim të rolit të tij, si forum që garanton gjithëpërfshirjen në realizimin e reformave dhe detyrimeve të anëtarësimit, do të intensifikojë edhe gjatë vitit 2021 mbikëqyrjen dhe nxitjes së dialogut konstruktiv ndaj zbatimit të këtyre reformave, që lidhen me integrimin europian./m.m/j.p/