TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri sot të ditur planin për vijimin e përballimit të situatës së COVID-19 në strukturat shëndetësore si dhe lajmëroi heqjen e kufizimeve për transportin publik.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur hapjen e transportit publik, por vetëm nën protokolle strikte, tashmë të miratuara, ku vendosja e maskës qoftë nga ata që shërbejnë apo nga qytetarët që e përdorin transportin publik, do të jetë e domosdoshme dhe nuk do të tolerohet asnjë thyerje e këtij rregulli”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë e stafit mjekësor ndaj këtij virusi të rrezikshëm si dhe të ministrisë së Shëndetësisë, ku masat e marra në kuadër të epidemisë do të vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Dua të vlerësoj që në fillim punën e stafeve mjekësore, të epidemiologëve, urgjencës kombëtare dhe të gjithë strukturave të shëndetësisë, që vijojnë të jenë në gatishmëri të lartë për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID19, gjithashtu dua të ndaj me ju planin për vijimin e përballimit të situatës në strukturat shëndetësore, duke besuar se do të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin e secilit prej jush në zbatimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë, për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe sistemin tonë shëndetësor”, tha ministrja.
Ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për masat parandaluese ndaj COVID19, për të mos e mbingarkuar sistemin shëndetësor.
“Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë. Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.
Sipas saj, strukturat e taskforcës antiCovid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës.
ATSH