Korça ka ofertën më të përshtatshme turistike për këtë vit të pazakontë.
Niko Peleshi, deputeti i Partisë Socialiste në Korçë, ka publikuar një video nën logon “Një kartolinë nga Korça”, që paraqet këtë realitet.
Peleshi shprehet se, turizmi është sektori më i rrezikuar nga pandemia. Njerëzit do të shmangin grumbullimet masive derisa të prodhohet e të shpërndahet globalisht një vaksinë kundër koronavirusit.
Por Korça, shprehet ai, mbetet vendi më i mirë për të kaluar një fundjavë me familjen apo me një rreth të vogël miqsh, sapo të përfundojë periudha e veçimit social.
E dini pse?
Së pari, njësitë akomoduese janë të tipit bujtinë, pra me kapacitet të vogël.
Së dyti, dreka apo darka mund të shijohen në natyrë në rrethinat me ajër të pastër të Voskopojës, Dardhës, Vithkuqit, Boboshticës, Drenovës, Polenës, Linit, Tushemishtit, Prespës, Rehovës së Kolonjës, Zvirinës, në Pyllin e Fazanëve, në Ziçisht, Hoçisht, Arrëzë, Nikolicë, në Bozdovec, Gramoz, Moravë, Malin e Thatë, Gërmenj etj.
Së treti, Korçë ofron infrastrukturën më të madhe sportive dhe argëtuese në mjedis të hapur, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. 200 mijë m2 hapësirë sportive në qytet, 840 km itinerar për pedalim i pajisur me guidë digjitale në Google Maps, qindra km shtigje të shënuara në të gjithë rajonin nga Pogradeci e deri në Leskovik.
“Qëndroni në shtëpi dhe planifikoni udhëtimin e parë në natyrën e pastër të Korçës. Në bujtinat e vogla e plot sharm të Korçës do të jeni si në shtëpinë tuaj. Ne po inkurajojmë operatorët e turizmit të përshtatin produktet me rekomandimet e institucioneve të shëndetit publik”, shprehet Peleshi. /j.p//r.e/atsh