Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë më për hyrje-dalje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ky vendim është marrë bazuar në situatën pandemike në Kosovë, me qëllim shmangjen e kontakteve.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka vendosur të bëjë lirimin e të gjitha laurave në hyrje-daljet e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Do të lejohen të gjitha automjetet e pacientëve dhe përcjellësve të pacientëve, pa pasur nevojë të bëjnë pagesa”, thuhet në njoftim.
“Vendimin e ka marrë drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, duke u bazuar në situatën e krijuar në vend për shkak të Pandemisë së Covid-19, me qëllim të parandalimit dhe shmangies së kontaktit nëpër laura”, theksohet në njoftim.
Por punëtorët që punonin në sportele nuk do të pushohen nga puna, por do të mbahen në punë për detyra të tjera.