ATSH/- Portofoli i kredisë për biznesin në muajin qershor shënoi rritje  vjetore mesatarisht me 6.6%.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, rritja e kredisë për biznesin është mbështetur nga kredia e dhënë për investime, ku kryesojnë sektorët energji, ndërtim, tregtia me shumicë dhe pakicë, turizmi dhe aktivitete të tjera shërbimi.

Stoku i kredisë për ekonominë, në fund të muajit qershor arriti në gati 590 miliardë lekë (4.7 miliardë euro), sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë, me një rritje prej 1.3% në raport me muajin e mëparshëm.

Në planin e përgjithshëm të kredisë është kalkuluar edhe ndërhyrja e BSH-së në mbështetje të biznesit kreditor.

Në situatën e vështirë ekonomike që krijojë Covid-19, Banka e Shqipërisë mundësoi pezullimin e kësteve të kredive për bizneset dhe individët përmes një marrëveshje me bankat tregtare.

Fillimisht pezullimi ishte për një periudhë tre mujore dhe më pas ai u zgjat dhe për tre muaj të tjerë, deri në fund të gushtit 2020.  Banka e Shqipërisë bën të ditur se janë ristrukturuar rreth 2 miliardë euro kredi, ose rreth 42% e stokut total të huasë në vend. e.xh/ /a.g/