ATSH/ Merita Sefa është kryeinfermiere pranë spitalit Infektiv dhe po u shërben pacientëve që aktualisht po trajtohen për simptomat e rënda të virusit të rrezikshëm në spitalin infektiv.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu teksa ka publikuar një nga momentet kur Merita u shërben njërit prej pacientëve të shtruar me COVID-19, thotë se virusi nuk është lojë por sëmundje tinëzare. Ajo ka ripërsëritur apelin për kujdes duke kufizuar sa më shumë përhapjen e infeksionit përmes respektimit të rregullave.

“Kjo është kryeinfermiere Merita Sefa, e cila po i shërben njërit prej pacientëve, që aktualisht po trajtohet për simptomat e rënda të virusit të rrezikshëm në spitalin infektiv. Nuk është lojë, rrezikohet jeta! Sepse, siç thonë mjekët, të cilët janë çdo ditë pranë pacientëve, sëmundja është tinëzare! A mundemi ne ta kufizojmë përhapjen e COVID-19? PO, nëse secili prej nesh tregon kujdes në përditshmëri Nuk është zgjidhje trajtimi në spital, por parandalimi: Respekto distancën, vendose maskën, ruaj higjienën vetjake dhe kolektive”, shprehet ministrja. z.tosku//a.a/