/ATSH/ Pas më shumë se 1 mijë ditë pune të imët, restaurimi ka nxjerrë në pah detaje të një arkitekture të rafinuar në tavanin e xhamisë Mbret në Berat.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, Eugen Kallfani, tha se “jemi pothuaj në 90 % të punimeve restauruese ku kanë ngelur për të mbyllur vendosja e dyshemesë, vendosja e tapetit, instalimet elektrike, vendosja e shandanëve në sallën e lutjeve , restaurimi i parmakëve të mafilit, restaurimi i mirabit dhe ndriçimi i jashtëm dekorativ”.
Sipas tij, kanë përfunduar krejtësisht punimet më delikate që kishin të bënin me restaurimin e tavaneve, të pjesës së hajatit dhe të sallës së lutjeve.
Kallfani tregon se paralelisht po punohet edhe për ndërtimin e nyjeve higjieno-sanitare.
“Nga pikëpamja funksionale nyjet sanitare janë tepër të domosdoshme për vënien në funksion të xhamisë me të gjitha shërbimet e mundshme ndaj besimtarëve dhe vizitorëve”, – shtoi ai.
Në harkun e pak muajve mund të thuhet që punimet në xhaminë Mbret mund të quhen krejtësisht të përfunduara
“Njëkohësisht në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë është miratuar edhe projekti për ndërhyrjen në sheshin e qendrës mesjetare i cili do të ketë një konfiguracion të ri dhe në funksion të një hapësire shumë të frekuentuar nga turistë. Në këtë ndërhyrje parashikohen kalldrëmet, ndriçimet ,stolat dhe të gjithë elementët e domosdoshëm të mobilimit urban të kësaj hapësire”, – tha Kallfani.
Ai sqaron se “ndërhyrja parashikon eliminimin e gardheve prej elementësh metalikë dhe sistemimin e oborrit përpara xhamisë Mbret duke parashikuar një siluetë shumë më të zbutur me tapet bari, zgjidhje kjo që do të nxjerrë më në pah vlerat e mëdha të monumenteve e duke lehtësuar ndjeshëm aksesin në zonë”.
Në kuadër të programit të Ministrisë së Kulturës “Rrugët e Besimit”, xhamia Mbret i është nënshtruar ndërhyrjeve restauruese, të financuara nga Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA) dhe e mbikëqyrur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Projekti i restaurimit është hartuar në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të xhamisë.
Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I i shpallur që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit XV.