Ku është fëmija im? Kjo është pyetja që për 32 vite po torturon nënën e Juliana Hoxhës, Valentinën sot 71 vjeçe. Fëmija u zhduk në 12 mars 1992 dhe prej atëherë nuk dihet asgjë. Ishte 7 vjeçe, doli nga shtëpia për të blerë një tullumbace në lagje dhe nuk u kthye kurrë.

 

 

“Më jep lekë të blej një tullumbace tha. Shitësja në atë kohë tha se i ka dhënë do tullumbace një për vetë një për vëllain. Rrugës nga është kthyer për në shtëpi, një dorë kriminale mund ta quash, sepse një njeri nuk mund ta bëjë atë punë, e rrëmbue dhe e futi në makinë. Dola të kërkoja këtu , nuk e gjeta, si nënë kam bërë përndjekje, kam bërë letër edhe presidentëve të asaj kohe, të gjithëve u kam bërë dhe të gjithë më thonë drejtohuni në organet kopetente. organet kopetente, më thonë se këtë gjë e dimë, dhe jemi në kërkim të saj. çfarë do bëj unë si nënë? unë një nënë jam. Unë përpjekjet e mia i kam bërë të gjitha, shteti duhet të vërë dorë, s’jam e para as e fundit. Ju lutem shumë si nënë, si qytetare, në qoftë se ngurroni ta thoni e shkruani në një copë letër dhe ma hidhni në shtëpi, jam një nënë që po vajtoj”-Valentina Hoxha, nëna e Julianës . Humbur në Tiranë, në lagjen e saj mbas gjimnazit Cajupi, Juliana Hoxha është fëmija i parë i rrëmbyer pas 1990. Emri i saj vazhdon prej tre dekadash i publikuar në kartelat e agjencive ndërkombëtare. Interpol shkruan se autoritetet vendase besojnë që Juliana mund të jetë adoptuar ilegalisht në vendet e Evropës Perëndimore. Asnjë dëshmitar, askush nuk tregon mbi identitetin e rrëmbyesve. Për të ëmën, vitet kanë mbetur në ditët kur shtëpia gumëzhinte nga zërat e fëmijëve, një ndër ta edhe zëri i Julianës.

 

 

“Bënte detyrat dhe kishte qenë në kopsht bënte detyrat , fëmijë 6 e gjysmë. deri vonë pyesnin disa nga fëmijët dhe unë u thosha nuk është gjendur akoma. Djali ishte i vogël dhe pyeste kur do vijë motra, kur ishte dimër, loznin brenda. ajo ka qenë e vogël, gjashtë vjeçe e gjysmë, po për birësim apo organe , uroj të jetë birësimi, Ajo do jetë bërë nënë, në qoftë se ka krijuar familje e uron nëna të jetë e lumtur, por nëna i uron të kthejë kokën mbrapa se kam 32 vjet që po lotoj”-shprehet Valentina Hoxha, nëna e Juliana Hoxhës.

 

Në kartelat e Interpol janë të afishuar emrat e 16 fëmijëve, që konsiderohen të humbur nga Interpoli. Ata janë Juliana Hoxha shtatë vjeçe , humbi në 1992. Xhevahir Gezdari, 12 vjeç, humbi në 1995. Djali i një zyrtari të antiterrori në shërbimin sekret, Julian Çela 10 vjeç u deklarua zyrtarisht i humbur në 2013, Eva Dumani në 2014 ishte 9 vjeç, u rrëmbye bashkë me të vëllanë nga i ati duke u dërguar me luftime në Siri.Aleksandër Nikolli ishte 13 vjeç në 1998, Noel Musa, nëntë vjeç në 2019, Arisa Barci 13 vjeçe, shpallur e humbur në 2019, tre fëmijët Kledi, Robert dhe Amelia Peshpali përkatësisht përkatësisht 12, 11 dhe 4 vjec u deklaruan të humbur nga Interpol në 2019. Artur Carja ishte nëntë vjet kur u shpall i humbur, Blerta Selaj humbi në 1999 dhe ishte tre vjeçe, Bleona Mataj ishte 6 vjeçe dhe u deklarua e humbur në 2010, Elson Lleshi 10 vjeç humbi në 2009 dhe dy fëmijët Jon dhe Janina Gashi 6 dhe 4 vjeç u futën në listën e Interpolit si të humbur në 2015.

 

Top Channel